Kori i Filharmonisë së Kosovës

Kori i Filharmonisë së Kosovës është ansambël profesionist me 50 anëtarë, i cili paraqet vazhdimësinë e  punës së Korit Profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës i cili zhvilloi veprimtarinë e tij në vitet 1980-1990 nën drejtimin e dirigjentit  Rafet Rudi. Puna e korit u ndërpre me dhunë në fillim të viteve 90 nga regjimi serb ndërsa u ri-themelua në vitin 2003 si njësi e Filharmonisë së Kosovës. Me aktivitetin e tij Kori i  Filharmonisë vazhdon të kultivojë traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston që nga viti 1945. Repertori i Korit të Filharmonisë së Kosovës përfshinë vepra të epokave të ndryshme stilistike nga renesansa e deri te veprat e kompozitorëve të muzikës bashkëkohore. Vend të posaçëm në repertorin e korit zë literatura e muzikës shqiptare. Kori së bashku me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës kanë interpretuar një sërë veprash të rëndësishme vokale-instrumentale si: Mesha në D-dur nga Mozart-i, “Vespro della Beata Vergine 1610” nga Monteverdi, Kantata Nr.8 nga Bach-u, “Gloria” nga Vivaldi, Mesha në C-dur nga Beethoven-i dhe “Missa in tempore belli” nga Haydn-i etj. Me 3 shtator 2016, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u prezantuan në koncertin e organizuar në nderim të Nënës Terezë në Vatikan, në vigjilje të shenjtërimit të saj. Me Korin e Filharmonisë kanë bashkëpunuar dirigjentët: Rafet Rudi – dirigjent permanent, Marko Vatovec, Damijan Mocnik, Baki Jashari, Marcio da Silva, Fernando Briones, Ylber Asllanaj, Edon Ramadani, Astrit Pallaska, Hajrullah Syla etj. ndërsa kanë koncertuar solistët vokal: Merita Juniku, Sanije Matoshi, Selvije Marteti, Lindita Hakaj, Riad Ymeri, Denik Prizreni, Adelina Thaqi, Elbenita Kajtazi, Besa Lllugiqi, Diellza Sylejmani, Donika Ukshini, Adelina Paloja, Flaka Goranci, Kaltrina Miftari, Arta Jashari, Luan Durmishi, Safet Berisha, Liridon Sadriu, Armando Likaj, Noel Bouley, Caroline Champy-Tursun, Clemence Garcia etj. Përveç paraqitjeve në vend Kori ka koncertuar edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci. Më 2018 Kori i Filharmonisë së Kosovës realizoi turne koncertale në Baritani të Madhe (Londër, Hastings, Shën Leonard), prezantim i cili u vlerësua lartë edhe nga kritika britanike. 

X